Roma ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në Serie A, duke mposhtur Bolognën me rezultatin 2-0 në transfertë dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për skuadrën e drejtuar nga Gian Piero Gasperini, e cila kaloi në avantazh që në minutën e 7-të.
Ishte Donyell Malen ai që zhbllokoi sfidën, duke vazhduar formën e tij të mirë që prej ardhjes në janar.
Roma kishte mundësi të dyfishonte shifrat edhe më herët, por Malen nuk arriti të shënojë për herë të dytë në pjesën e parë, duke humbur një rast të artë.
Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, Neil El Aynaoui vulosi një aksion të bukur të Romës, duke shënuar golin e dytë pas një asistimi të saktë nga Malen, që u kthye në protagonist absolut.
Në pjesën e dytë, Bologna u përpoq të reagojë me disa raste të rrezikshme, ku Riccardo Orsolini testoi portierin Mile Svilar dhe goditi edhe shtyllën, por pa arritur të ngushtojë diferencën.
Roma u tregua e organizuar dhe e disiplinuar në mbrojtje, duke menaxhuar rezultatin deri në fund dhe duke marrë tre pikë shumë të vlefshme në garën për Europë.
Me këtë fitore, verdhekuqtë ngjiten në vendin e pestë dhe janë vetëm dy pikë larg Juventusit në luftën për top 4, ndërsa gara për Champions mbetet e hapur në javët e fundit të sezonit.
Nga ana tjetër, Bologna mbetet në vendin e tetë dhe rrezikon seriozisht të humbasë objektivat europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: