Milani ka nisur seriozisht ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, me objektivin e qartë: rikthimin në elitën e futbollit europian dhe një ekip të denjë për Ligën e Kampionëve. Trajneri Massimiliano Allegri ka kërkuar më shumë cilësi dhe përvojë, ndërsa drejtuesit janë vënë menjëherë në lëvizje.
Një nga emrat më të përfolur është ai i Leon Goretzkas, i cili pritet të largohet si lojtar i lirë nga Bayern Munich. Mesfushori gjerman ka dhënë miratimin paraprak për transferimin, ndërsa Milani ka paraqitur tashmë një ofertë konkrete për të siguruar shërbimet e tij.
Në repartin ofensiv, kuqezinjtë kanë hedhur sytë nga Alexander Sorloth.
Sulmuesi norvegjez, aktualisht pjesë e Atletico Madrid, duket i hapur për një aventurë të re në Serie A.
Edhe pse spanjollët e blenë për 32 milionë euro, një ofertë rreth 20 milionë euro plus bonuse mund të bindë klubin madrilen për ta lënë të lirë.
Megjithatë, Atletico pritet të kërkojë më shumë, sidomos duke parë mundësinë që vlera e lojtarit të rritet pas Kupës së Botës. Kjo e bën negociatën më komplekse, por jo të pamundur për drejtuesit milanezë.
Ndërkohë, Milani po mban në listë edhe alternativa të tjera të mëdha për sulmin.
Emra si Dusan Vlahovic, Robert Lewandowski dhe Nicolas Jackson janë në radar, duke treguar ambicien e klubit për të ndërtuar një repart ofensiv të frikshëm.
Me këto lëvizje, Milani synon të rikthehet fuqishëm në skenën europiane dhe të ndërtojë një skuadër konkurruese në të gjitha frontet për sezonin e ri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: