Disiplina e jashtëzakonshme e Cristiano Ronaldos vazhdon të jetë një nga arsyet kryesore pse ai mbetet në majat e futbollit botëror edhe në një moshë ku shumë të tjerë janë tërhequr.
Së fundmi, ish-kuzhinieri i tij personal, Giorgio Barone, ka zbuluar disa detaje interesante mbi stilin e jetesës së portugezit.
Në një intervistë për “Covers”, Barone theksoi se Ronaldo ishte ndryshe nga çdo futbollist tjetër me të cilin kishte punuar.
Sipas tij, ndërsa shumë lojtarë ndjekin një dietë të shëndetshme, shpesh i lejojnë vetes devijime të vogla, diçka që Ronaldo nuk e bënte kurrë.
“Ai nuk konsumon ushqim të shpejtë, as në pushime. Nuk përdor sheqer, madje as në kafe. Për të, sheqeri është helm për trupin”, u shpreh ish-kuzhinieri, duke nënvizuar nivelin ekstrem të përkushtimit të lojtarit ndaj trupit të tij.
Një tjetër aspekt që e dallon Ronaldon është mënyra se si ai menaxhon kohën jashtë fushës.
Ndryshe nga shumë futbollistë që kalojnë orë të tëra duke luajtur video-lojëra, ai i shmangej plotësisht “PlayStation”-it, duke e konsideruar një shpërqendrim të dëmshëm.
Sa i përket dietës, Barone zbuloi se Ronaldo preferonte ushqime me vlera të larta ushqyese, duke përfshirë mëlçinë, të cilën e konsideronte një “superushqim”.
Sipas tij, organe të tilla si mëlçia, zemra dhe truri janë ndër ushqimet më të pasura për organizmin.
Këto zakone strikte dhe kjo disiplinë e rrallë janë pjesë e formulës së suksesit që e ka mbajtur Ronaldon në nivelet më të larta të performancës për më shumë se një dekadë, duke e kthyer atë në një shembull për brezat e rinj të sportistëve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: