Klubi italian i Romës ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Claudio Ranieri, me efekt të menjëhershëm, duke hapur një kapitull të ri në drejtimin teknik të skuadrës.
Në deklaratën zyrtare, Roma falënderon Ranierin për kontributin e tij në një periudhë të vështirë për klubin. “Ai e udhëhoqi ekipin në një moment shumë të ndërlikuar dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për përpjekjet e tij”, thuhet në reagimin e klubit.
Megjithatë, drejtuesit romanë kanë bërë të qartë se tashmë fokusi është tek e ardhmja, duke konfirmuar besimin e plotë te trajneri i ri Gian Piero Gasperini. “Drejtimi ynë është i qartë. Klubi është i qëndrueshëm dhe me një vizion të mirëpërcaktuar. Kemi besim të plotë në rrugën që na pret nën drejtimin teknik të Gasperinit, me synimin për t’u rritur dhe për të arritur rezultate në përputhje me historinë tonë”, vijon deklarata.
Me këtë vendim, përgjegjësia teknike kalon plotësisht në duart e Gasperinit, i cili pritet të nisë menjëherë punën për ndërtimin e projektit të ri sportiv. Ndërkohë, mbetet ende e paqartë edhe e ardhmja e drejtorit sportiv Frederic Massara, i cili sipas raportimeve është gjithashtu pranë largimit.
Reagime për këtë zhvillim ka pasur edhe nga politika sportive në Itali. Ministri për Sportin, Andrea Abodi, u shpreh se Ranieri mbetet një vlerë e rëndësishme për futbollin italian, duke theksuar se vendimet i takojnë klubit dhe se diçka duket se nuk ka funksionuar si duhet.
Ndarja me Ranierin shënon një tjetër kthesë për Romën, e cila synon të rikthehet në nivelet më të larta nën drejtimin e ri teknik.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: