Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjakovën, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në një objekt ndërtimi në rrugën “Pjetër Bogdani”. Viktima është identifikuar si Lendrit Fetahaj, i cili në të kaluarën ka qenë futbollist i klubit KF Gjakova.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 17:00 të së enjtes është raportuar se një mashkull i moshës madhore ka rënë nga një ndërtesë e lartë teksa ishte në vendin e punës. Hetimet paraprake tregojnë se fillimisht ai mund të jetë goditur nga një kran që po transportonte materiale ndërtimore, i cili dyshohet të jetë operuar në mënyrë të pakujdesshme, duke çuar më pas në rënien fatale.
Pas konfirmimit të identitetit të tij, është bërë e ditur se bëhet fjalë për Lendrit Fetahajn, 29 vjeç, i cili kishte qenë pjesë e KF Gjakovës gjatë karrierës së tij sportive.
Klubi gjakovar ka reaguar me një telegram ngushëllimi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e ish-lojtarit të tij. KF Gjakova ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Fetahaj dhe për të gjithë ata që e kanë njohur Lendritin.
“Me dhimbje morëm lajmin për ikjen tragjike të parakohshme të ish-futbollistit tonë. KF Gjakova i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fetahaj dhe të gjithë atyre që e njohën Lendritin”, thuhet në reagimin e klubit.
Ngjarja ka shkaktuar trishtim të madh në komunitetin lokal, si në botën e sportit ashtu edhe më gjerë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: