Zyrtare/ Hoffenheim i rinovon kontratën Albian Hajdarit deri në vitin 2031

Zyrtare/ Hoffenheim i rinovon kontratën Albian Hajdarit deri në vitin 2031

11:57, 24/04/2026

Klubi gjerman Hoffenheim ka konfirmuar zyrtarisht zgjatjen e kontratës me mbrojtësin e Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdarin, duke e blinduar atë për të ardhmen.

Edhe pse klubi nuk ka bërë të ditur kohëzgjatjen e saktë të marrëveshjes së re, mediet gjermane raportojnë se kontrata e re e 22-vjeçarit është e vlefshme deri në verën e vitit 2031.

Në njoftimin zyrtar, Hoffenheim e cilëson Hajdarin si një lojtar të rëndësishëm për projektin sportiv të klubit. “TSG Hoffenheim i ka zgjatur kontratën mbrojtësit Albian Hajdari për një periudhë të gjatë”, thuhet në deklaratë.

Drejtori sportiv i klubit, Andreas Schicker, ka vlerësuar lart kontributin e tij, duke theksuar se mbrojtësi është kthyer shpejt në një element kyç të skuadrës. Sipas tij, Hajdari ka treguar cilësi të rëndësishme si këmbë e majtë e fortë, fleksibilitet në mbrojtje dhe mentalitet të fortë konkurrues.

“Albiani është përshtatur shumë shpejt me ekipin dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sezonin tonë. Ai ka ende shumë hapësirë për zhvillim”, u shpreh Schicker.

Edhe vetë futbollisti ka shprehur kënaqësinë e tij për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin gjerman. “Ndihem shumë mirë te Hoffenheim. Që në fillim e kuptova se këtu po ndërtohet diçka serioze. Dua të vazhdoj të kontribuoj në suksesin e klubit”, tha Hajdari.

Mbrojtësi kosovar iu bashkua Hoffenheimit në gusht të vitit 2025 nga FC Lugano dhe deri tani ka regjistruar 26 paraqitje në Bundesligë, duke shënuar edhe një gol, si dhe një ndeshje në Kupën e Gjermanisë. Në nivel ndërkombëtar, ai ka pesë paraqitje me Kosovën që nga tetori i vitit 2025.

Para transferimit në Gjermani, Hajdari ka luajtur 110 ndeshje me Luganon në kompeticione të ndryshme zvicerane dhe evropiane, duke përfshirë Superligën e Zvicrës dhe garat e UEFA-s.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco