Juventusi ka nisur të projektojë sezonin e ardhshëm dhe një nga prioritetet kryesore mbetet përforcimi i mesfushës. Trajneri Luciano Spalletti kërkon një “playmaker” shtesë përkrah Manuel Locatelli-t, dhe një nga emrat që ka dalë në skenë është Ardon Jashari i Milanit.
Mesfushori zviceran, i ardhur me shumë pritshmëri nga Club Brugge, nuk ka pasur hapësirat e dëshiruara në formacionin e trajnerit Massimiliano Allegri. Një dëmtim i rëndë në fillim të aventurës së tij në “San Siro” ndikoi ndjeshëm në përshtatjen, ndërsa konkurrenca në mesfushë, sidomos prania e Luka Modric-it, e ka kufizuar më tej aktivizimin e tij.
Deri tani, Jashari ka regjistruar pak paraqitje gjatë sezonit, duke mbetur shpesh në stol. Kjo situatë ka tërhequr vëmendjen e Juventusit, që e sheh si një profil interesant për të shtuar cilësi dhe alternativa taktike në repartin e mesfushës. Ideja e bardhezinjve nuk është të zëvendësojnë Locatelli-n, por të shtojnë një element të ndryshëm që mund të japë fleksibilitet në skema si 4-3-3 apo 3-5-2.
Në listën e alternativave mbetet edhe Pierre-Emile Hojbjerg, aktualisht te Marseille, një lojtar më me eksperiencë që pëlqehet prej kohësh nga drejtuesit torinezë.
Ndërkohë, në Torino pritet edhe një riorganizim i mesfushës. E ardhmja e Khephren Thuram mbetet në dyshim për shkak të interesimit nga klubet angleze, ndërsa largimi i Teun Koopmeiners duket gjithnjë e më i mundshëm, me Galatasaray-n dhe disa skuadra angleze në ndjekje.
Merkatoja verore pritet të jetë vendimtare për Juventusin, që synon të ndërtojë një skuadër më konkurruese për sezonin e ardhshëm dhe për rikthimin në garë për titullin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: