FIFA në alarm: Moti ekstrem ‘kërcënon’ zhvillimin Botërorit

FIFA në alarm: Moti ekstrem ‘kërcënon’ zhvillimin Botërorit

20:47, 23/04/2026

Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, pritet të jetë një spektakël i jashtëzakonshëm futbolli, por njëkohësisht edhe një sfidë serioze për shkak të kushteve atmosferike.

Turneu do të nisë më 11 qershor dhe do të zhvillohet në kulmin e verës, një periudhë e karakterizuar nga temperatura të larta, lagështi e rënduar dhe stuhi të shpeshta, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.

Këta faktorë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin normal të ndeshjeve, duke sjellë ndërprerje apo shtyrje të tyre.

Rreziku më i madh lidhet me stuhitë me vetëtima, për të cilat në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë protokolle të rrepta sigurie. Sipas rregullave në fuqi, nëse detektohen vetëtima brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi, ndeshja ndërpritet menjëherë dhe vendoset një pauzë minimale prej 30 minutash. Në rast se aktiviteti vazhdon, koha rifillon nga e para, duke çuar në vonesa të gjata.

Kjo do të thotë se edhe sfidat më të rëndësishme të turneut, përfshirë finalen, mund të ndërpriten në kushte ekstreme. Finalja është planifikuar të luhet në “MetLife Stadium”, një zonë ku stuhitë verore janë relativisht të shpeshta.

Situata të ngjashme janë parë edhe më parë në turne ndërkombëtarë, ku ndeshje të ndryshme janë vonuar apo ndërprerë për shkak të motit të keq.

Kjo rrit shqetësimin për mbarëvajtjen e një eventi kaq të madh.

Ekspertët paralajmërojnë se zonat më të rrezikuara janë verilindja e Shteteve të Bashkuara dhe rajonet jugore si Miami, ku priten kushte të paqëndrueshme atmosferike. Qytete si New York, Boston, Philadelphia dhe Miami konsiderohen më të ekspozuara ndaj stuhive.

Përveç reshjeve dhe vetëtimave, një tjetër sfidë mbetet nxehtësia ekstreme.

Temperatura të larta dhe lagështia e madhe në qytete si Miami, Houston, Kansas City dhe Dallas mund të ndikojnë në ritmin e lojës dhe në gjendjen fizike të futbollistëve.

Për këtë arsye, FIFA po shqyrton masa shtesë, përfshirë pauza më të shpeshta për freskim gjatë ndeshjeve, me qëllim ruajtjen e shëndetit të lojtarëve dhe garantimin e një gare sa më të sigurt dhe cilësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco