Milani ka bërë të ditur zyrtarisht se Ruud Gullit, Kaká dhe Carlo Ancelotti janë futur në “Hall of Fame” të klubit si mesfushorët më të mirë në historinë e skuadrës.
Në një njoftim zyrtar, klubi kuqezi thekson se ky është një vlerësim prestigjioz, i dhënë nga tifozët e Milanit në mbarë botën përmes një procesi votimi, i cili ka vlerësuar aftësinë e tyre për të përfaqësuar pasionin, vlerat e klubit dhe sukseset e arritura gjatë karrierës së tyre me fanellën kuqezi.
Me këtë fanellë, Gullit dhe Kaká kanë magjepsur gjenerata tifozësh dhe kanë fituar Topin e Artë në vitet 1987 dhe 2007, ndërsa Ancelotti, para se të bëhej trajner i suksesshëm, ka qenë një lider në mesfushë nën drejtimin e Arrigo Sacchi-t.
Emrat e tyre i bashkohen Hall of Fame së bashku me figurat legjendare si Franco Baresi, Filippo Inzaghi, Andriy Shevchenko dhe Marco van Basten, duke formuar “Klasën e vitit 2026”. Në vitet e ardhshme, lista do të zgjerohet edhe me portierë dhe mbrojtës që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e klubit.
Ceremonitë e vlerësimit do të nisin më 26 prill, gjatë ndeshjes në ‘San Siro’ mes Milanit dhe Juventusit. Para ndeshjes, Gullit do të jetë i pari që do të marrë trofeun e realizuar nga Tiffany & Co., si pjesë e ‘Hall of Fame’.
Ky projekt është pjesë e festimeve për 125-vjetorin e klubit dhe synon të nderojë trashëgiminë historike të Milanit, duke frymëzuar gjeneratat e ardhshme të tifozëve kuqezi për të vazhduar historinë e klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: