Një zhvillim i rëndësishëm ka tronditur futbollin në Maqedoninë e Veriut, ku është ndaluar ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini.
Aksioni është realizuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike, si pjesë e një hetimi që lidhet me dyshime për keqpërdorim të fondeve financiare.
Sipas të dhënave paraprake, Sejdini dyshohet se ka përvetësuar rreth 700 mijë euro, mjete të akorduara nga UEFA për zhvillimin e projekteve infrastrukturore në vend. Konkretisht, këto fonde ishin destinuar për mbështetjen e Federatës dhe ndërtimin e një tribune në qytetin e Ohër.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se dyshimet për shkelje janë evidentuar pas ndryshimeve në drejtimin e Federatës, çka ka çuar në raportimin e rastit pranë organeve kompetente dhe nisjen e hetimeve.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi rrjedhën e procedurës apo masat që mund të ndërmerren në vijim. Hetimet vazhdojnë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë informacione lidhur me këtë çështje që ka ngjallur interes të madh publik.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: