Europiani i peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë dhuroi të enjten medaljet e para për Shqipërinë. Në peshën 79kg, Briken Calja mori një medalje të artë në shtytje dhe një të argjendtë në dygarësh.
“Historia përsëritet, fiks si para 7 vitesh, në të njëjtin qytet Batumi, Gjeorgji. I njëjti rezultat, i njëjti shpirt, i njëjti mision. Koha kalon, por karakteri nuk ndryshon. Në pedanë jam gjithmonë për një arsye: Të përfaqësoj Shqipërinë me dinjitet dhe të luftoj për majën. Një tjetër kapitull i shkruar me punë, sakrificë dhe besim”, shkruaj Calja, që falënderon edhe FSHP-në.
Po në këtë peshë, Erkand Qerimaj nuk arriti të jetë mes pretendentëve, madje në shtytje nuk dha rezultat. Në një koment pas garës, postuar në rrjetet sociale, ai “shpërthen” kundër Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që sipas tij nuk mbrojti interesat e tij në garë, për një faull të paqenë.
“Këtë herë do flas pa filtra! Në shkëputje realizova 152kg dhe tentova rekordin e Europës me 157kg. Isha shumë pranë. Në shtytje realizova 184kg, provë e pastër, e dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët. Më pas, juria vendos ta anullojë për një lëkundje minimale. Ky nuk është thjesht një vendim, është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Europës”, thotë Qerimaj.
“Por, edhe më e rëndë se kjo është heshtja. Drejtuesit e Federatës ishin aty, me lekët e taksapaguesve dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim. Asnjë protestë. Asnjë qëndrim. Kjo nuk është papërgjegjshmëri por kjo është dështim. Kur marrim medalje, jeni të parët për foto dhe deklarata. Kur ndodh padrejtësia, zhdukeni. Kjo është hipokrizi e pastër”, shtoi shkodrani.
Më tej, ai akuzon Federatën: “Jemi i vetmi ekip në Europë që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum. Kjo është skandaloze. Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim , zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: