Rafael Leao mbetet një enigmë te Milani. Mes kritikave dhe shkëndijave të talentit, drejtuesit kuqezi po presin një paraqitje të madhe në Botëror përpara se të marrin një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij.
Në sfidën ndaj Veronës në “Bentegodi”, portugezi ishte protagonist i aksionit më të bukur të ndeshjes, duke dhuruar një asist të shkëlqyer për Adrien Rabion, që i siguroi fitoren Milanit të drejtuar nga Masimiliano Alegri.
Megjithatë, zëvendësimi i tij pas pak më shumë se një ore lojë ngriti sërish pikëpyetje.
Vetë lojtari kërkoi shpjegime, ndërsa Alegri u përgjigj me ironi: “Me 12 lojtarë nuk mund të luhet”.
Një sezon me ulje-ngritje
Sezoni i Leaos ka qenë një “roller coaster”. I kushtëzuar nga pubalgjia, ai shpesh ka luajtur me dhimbje dhe jashtë rolit të tij natyral. I vendosur shpesh si qendërsulmues, portugezi nuk ka arritur të japë maksimumin, sidomos në duelet fizike dhe në mbajtjen e topit.
Goli i fundit në kampionat daton prej fillimit të marsit, ndërsa paraqitjet kanë qenë të paqëndrueshme. Në disa raste, si ndaj Udinezes në “San Siro”, ai është përballur edhe me pakënaqësinë e tifozëve.
Megjithatë, Leao mbetet një nga lojtarët më vendimtarë të Milanit. Me 9 gola në kampionat dhe së bashku me Kristian Pulisiç, ai konsiderohet si arma kryesore për të zgjidhur ndeshjet me një moment individual.
E ardhmja në pikëpyetje
Pikërisht kjo paqëndrueshmëri ka hedhur hije mbi të ardhmen e tij. Edhe pse kontrata e Leaos është e vlefshme deri në vitin 2028, marrëdhënia me klubin duket më e ftohtë se kurrë.
Milani nuk e konsideron më të paprekshëm, ndërsa edhe vetë lojtari mund të jetë i hapur për një transferim, veçanërisht nëse shkëlqen me Portugalinë në Botëror dhe rrit vlerën e tij në treg.
Aktualisht nuk ka oferta konkrete, por interesi nga Barcelona mbetet një pistë e mundshme, sidomos nëse katalanasit nuk arrijnë të transferojnë Markus Rashfordin.
Ndërkohë, vlera e Leaos ka pësuar rënie krahasuar me të kaluarën.
Dikur me një klauzolë prej 175 milionë eurosh, sot çdo ofertë mbi vlerën e tij kontabël do të përbënte fitim të pastër për Milanin, i cili mund të investojë për një qendërsulmues tipik.
Nëse qëndron në “San Siro”, mbetet për t’u parë nëse Alegri do të vazhdojë ta përdorë si “9” në skemën 3-5-2, një rol që ende ngre shumë pikëpyetje.
E sigurt është se e ardhmja e Leaos te Milani mbetet e hapur dhe gjithçka mund të varet nga ajo që ai do të tregojë në skenën më të madhe ndërkombëtare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: