Juventusi ka përshpejtuar ndjeshëm negociatat për Robert Levandovskin, duke synuar të përforcojë repartin ofensiv në skuadrën e drejtuar nga Luçiano Spaleti.
Sulmuesi polak, kontrata e të cilit me Barcelonën është drejt përfundimit, konsiderohet si profili ideal me përvojë ndërkombëtare për ta rikthyer Juventusin në garë serioze për titullin në Itali.
Kjo lëvizje vjen në një moment kur e ardhmja e sulmuesve si Vlahoviç, David dhe Openda mbetet ende e paqartë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e Juventusit pritet të zhvillojnë së shpejti një takim me agjentin Pini Zahavi, ku do të paraqesin një ofertë konkrete: kontratë njëvjeçare me vlerë 6 milionë euro, plus bonuse të lidhura me performancën.
Nga ana tjetër, Barcelona i ka bërë të qartë Levandovskit kushtet për rinovimin, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nëse nuk arrihet marrëveshje.
Megjithëse ofertat nga klubet arabe dhe MLS janë shumë më të larta financiarisht, me mbi 20 milionë euro në sezon, prioriteti i sulmuesit polak nuk është thjesht aspekti ekonomik.
Levandovski synon të mbetet në elitën e futbollit europian dhe të vazhdojë të jetë protagonist në Ligën e Kampionëve. Pikërisht ky element po shfrytëzohet nga Juventusi, që beson se prestigji sportiv mund të bëjë diferencën në këtë garë për shërbimet e një prej golashënuesve më të spikatur të viteve të fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: