Mesfushori i Real Madrid dhe i kombëtares angleze, Jude Bellingham, ka bërë një lëvizje të re jashtë futbollit, duke investuar në sportin e kriketit. Ai ka blerë një pjesë të vogël të klubit Birmingham Phoenix.
Sipas raportimeve, Bellingham ka marrë rreth 1.2% të aksioneve të klubit për një shumë prej rreth 800 mijë paundësh (afërsisht 1 milion euro). Pjesa më e madhe e pronësisë së skuadrës mbetet në duart e Warwickshire County Cricket Club, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga grupi Knighthead Capital Management, ku është i përfshirë edhe ish-‘ylli’ i NFL-së Tom Brady si investitor.
Bellingham, i lindur në Stourbridge, ka deklaruar se ndihet i lidhur me qytetin dhe dëshiron të kontribuojë në zhvillimin e tij. “Mendoj se i detyrohem diçka këtij qyteti dhe kjo është një mënyrë e mirë për ta kthyer”, është shprehur ai.
Ai ka treguar gjithashtu lidhjen e tij me kriketin, duke kujtuar se e ka luajtur që fëmijë me vëllanë e tij Jobe, dhe se sot është një nga sportet që i pëlqen më shumë për ta ndjekur pas futbollit.
“Gjithçka që bënim përfundonte në lojëra dhe gara mes nesh, qoftë futboll, kriket apo lojëra të tjera”, ka thënë Bellingham, duke shtuar se sportet e kanë ndihmuar të mësojë bashkëpunimin dhe respektin për njerëz nga prejardhje të ndryshme.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e sporteve ekipore në formimin e karakterit: “Ato që mëson në futboll apo kriket të shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Mëson si të bashkëpunosh, të kuptosh të tjerët dhe të argëtohesh me këdo”.
Birmingham Phoenix është një skuadër kriketi që përfaqëson qarqet Warwickshire dhe Worcestershire në kompeticionin “The Hundred”, i krijuar në vitin 2021. Ndeshjet luhen në stadiumin “Edgbaston” në Birmingham, ku garojnë si ekipi i meshkujve ashtu edhe ai i femrave.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: