Rënia e Leicester City-t në EFL League One, vetëm dhjetë vjet pas titullit historik në Premier League, ka hapur debate të shumta përtej aspektit sportiv. Rrugëtimi i klubit shihet sot si një “parabolë tragjike”, që shumë e kanë komentuar me imazhe të forta ndër vite.
Një nga interpretimet më të famshme i përket ish-futbollistit Eric Cantona, i cili pas shkarkimit të Claudio Ranierit në vitin 2017, e përshkroi historinë e Leicesterit si një “përrallë e përmbysur”. Sipas tij, Ranieri ishte “magjistari” që kishte transformuar një skuadër mesatare në kampione, por që u tradhtua sapo erdhën vështirësitë.
Në deklaratën e tij të bujshme, Cantona tha se klubi kishte larguar një trajner që kishte shkruar historinë më të madhe të tij, duke e quajtur vendimin si një tradhti ndaj suksesit. Ai shtoi se Leicesteri “dëshiron madhështinë, por nuk e njeh kur e ka përpara”, duke e mbyllur me një metaforë dramatike për identitetin e klubit dhe fatin e tij.
Sot, kjo “profeci” shihet nga shumë analistë si një parashikim simbolik i rënies së mëvonshme të klubit. Pas kulmit të vitit 2016, Leicester ka kaluar një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie: ndryshime të shpeshta trajnerësh, mungesë projekti afatgjatë dhe vendime jo gjithmonë të qëndrueshme në merkato, që nuk arritën ta konsolidonin suksesin historik.
Një tjetër goditje e madhe për klubin ishte edhe ndarja nga jeta e pronarit Vichai Srivaddhanaprabha, që la një boshllëk të madh në strukturën dhe stabilitetin e skuadrës.
Në këtë mënyrë, nga një “përrallë moderne” e futbollit, Leicesteri ka kaluar në një realitet të dhimbshëm, ku rënia në League One shihet jo thjesht si rezultat sportiv, por si pasojë e një menaxhimi të paqëndrueshëm të epokës pas mrekullisë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: