Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, ka shprehur edhe një herë besim të plotë te Vinícius Júnior, duke e konsideruar brazilianin një nga asetet më të rëndësishme të klubit për të tashmen dhe të ardhmen.
Pas eliminimit nga Bayerni në çerekfinalet e UEFA Champions League, në Madrid ka nisur tashmë planifikimi për sezonin e ardhshëm, ndërsa titulli në LaLiga shihet si shumë i vështirë për t’u arritur.
Në këtë situatë, një nga temat kryesore brenda klubit ka qenë pikërisht Vinicius. Kritikave dhe kërkesave për performancën e tij, Florentino u është përgjigjur prerë: “Kjo është punë ima, lërmani mua në dorë”. Presidenti beson se braziliani është një pasuri e pakontestueshme e klubit dhe se rinovimi i tij është vetëm çështje kohe.
Marrëdhënia mes Florentinos dhe Vinicius-it mbetet shumë e fortë që nga transferimi i tij në Madrid, me sulmuesin që i është mirënjohës për mbështetjen e dhënë në përballjet me rastet e racizmit.
Në klub, besimi është se Vinicius mund të rikthehet në nivelin që e çoi në fitimin e dy Champions League, duke qenë vendimtar në finalet e Parisit dhe Londrës. Përkrah tij, Florentino mbetet i bindur edhe për potencialin e Kylian Mbappé-së, duke u bazuar në statistikat e tij të golave, pavarësisht kritikave të fundit.
Ndërkohë, në prapaskenë ka edhe debate për përdorimin e lojtarëve të rinj dhe investimeve të mëdha në merkato, si Álvaro Carreras, Dean Huijsen dhe Franco Mastantuono, të cilët nuk po gjejnë ende hapësirat e pritshme.
Florentino Pérez është i bindur se projekti i Real Madridit mbetet i fortë dhe se problemi nuk është cilësia e skuadrës, por mënyra e shfrytëzimit të saj. Në javët në vijim, klubi pritet të marrë vendime të rëndësishme për të rikthyer stabilitetin dhe konkurrueshmërinë në nivelin më të lartë europian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: