Një episod i pazakontë ka ndodhur në finalen e KNVB Cup mes AZ Alkmaar dhe NEC Nijmegen, ku gjyqtari holandez, Danny Makkelie, ndaloi lojën për t’iu përgjigjur një telefonate gjatë ndeshjes.
Finalja u fitua bindshëm nga AZ Alkmaar me rezultatin 5-1, por momenti më i diskutuar i takimit nuk ishte në fushë, por veprimi i arbitrit, i cili befas ndaloi lojën dhe u drejtua nga anësorja për të marrë një telefonatë që po binte.
Sipas raportimeve, episodi shkaktoi habi si në stadium ashtu edhe tek tifozët që po e ndiqnin ndeshjen nga ekranet. Vetëm disa orë pas përfundimit të finales u zbulua edhe arsyeja e vërtetë e ndërhyrjes së pazakontë.
Rezulton se Makkelie kishte komunikuar me zyrtarë të Federatës Holandeze të Futbollit për shkak të incidenteve me mjete piroteknike të hedhura nga tribuna dhe masave të sigurisë që duhej të merreshin gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Sa i përket vetë finales, AZ Alkmaar dominoi takimin me gola nga de Wit, Mijnans, Koopmeiners, Smit dhe Parrott, ndërsa për NEC Nijmegen shënoi Ogawa. Me këtë fitore, AZ Alkmaar u shpall fitues i Kupës së Holandës në një finale që do të mbahet mend jo vetëm për rezultatin, por edhe për episodin e rrallë me arbitrin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: