Pas fitores dramatike 3-2 ndaj Como-s që i siguroi finalen e Kupës, trajneri i Interit, Cristian Chivu, u shfaq i kënaqur me reagimin dhe karakterin e skuadrës së tij.
“Ky rezultat është fryt i punës së një grupi që po bën shumë mirë që nga fillimi i sezonit. Ata që hyjnë nga stoli e kuptojnë momentin, dinë çfarë të bëjnë dhe tregojnë personalitet e guxim. Kanë qenë vendimtarë si Suçiç, Diouf dhe Pio Esposito”, u shpreh Chivu, duke theksuar rëndësinë e gjithë skuadrës në këtë sukses.
Tekniku zikaltër foli edhe për ambicien e madhe të ekipit për të synuar dy trofe këtë sezon: “Me punë dhe rezultate e kemi vendosur veten në një pozitë ku mund të ëndërrojmë si për kampionatin, ashtu edhe për Kupën e Italisë. Rreth nesh është krijuar një narrativë që e njoh mirë që nga koha ime si lojtar”.
Duke analizuar kundërshtarin, Chivu vlerësoi forcën e Comos: “E dinim shumë mirë çfarë skuadre është Como, kanë mbrojtjen më të mirë në kampionat. Megjithatë, djemtë treguan dëshirë, vendosmëri dhe krenari. Ky grup ka ADN-në e Interit dhe të përmbysësh dy herë Comon në pak ditë është diçka nga ‘Interi i çmendur’”.
Ai komentoi edhe gjendjen fizike të Denzel Dumfries: “Ka një shqetësim të vogël në tendinë, por ishte i gatshëm të ndihmonte ekipin në minutat e fundit. Kjo tregon përgjegjësinë që ndiejnë lojtarët për këtë klub”.
Në fund, Chivu hodhi poshtë krahasimet me José Mourinho: “Gazetarëve u pëlqejnë titujt, mua jo. Unë jam Chivu, punoj me pasion dhe zemër për të bërë më të mirën dhe për të arritur objektivat me këtë skuadër”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: