Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin danez dhe klubin FC Midtjylland, pasi futbollisti 19-vjeçar, Alamara Djabi, është sulmuar me thikë në një incident ende të paqartë.
Lojtari nga Guinea u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai u vendos në koma të induktuar, nga e cila tashmë është zgjuar. Sipas klubit, gjendja e tij është e stabilizuar, por ende mbetet serioze.
“Alamara Djabi u plagos rëndë në një sulm me thikë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të stabilizuar pas dy operacioneve. Ai është zgjuar nga koma e induktuar dhe po shërohet duke marrë parasysh rrethanat,” njoftoi klubi në një deklaratë zyrtare.
FC Midtjylland ka bërë të ditur gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe po mbështet lojtarin dhe familjen e tij gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Motivet e sulmit mbeten ende të panjohura dhe policia daneze ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.
Djabi ishte aktualisht i dëmtuar dhe nuk po aktivizohej në ndeshje, në një sezon të vështirë për të në Danimarkë. Ai iu bashkua Midtjylland në vitin 2022 nga futbolli portugez, pasi kishte dalë nga akademia e Benfica-s dhe ishte huazuar më parë te Mafra.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe shqetësim të madh në botën e futbollit, ndërsa gjendja e lojtarit mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: