Rafael Márquez është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Meksikës, duke marrë drejtimin e skuadrës pas përfundimit të FIFA World Cup 2026. Ish-kapiteni legjendar do të nënshkruajë një kontratë deri në Botërorin 2030, duke shënuar një projekt afatgjatë për federatën meksikane.
Lajmi është konfirmuar nga drejtori sportiv, Duilio Davino, i cili ka bërë të ditur planin e qartë të tranzicionit. Aktualisht, Márquez shërben si ndihmës i trajnerit Javier Aguirre, por pas Botërorit do të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës së parë.
Në stafin e ri teknik do të përfshihen disa figura të njohura të futbollit meksikan. Ish-mesfushori Andrés Guardado do të jetë ndihmësi kryesor i Márquez-it, duke krijuar një dyshe me përvojë të madhe ndërkombëtare. Për trajner të portierëve është zgjedhur Alfredo Talavera, ndërsa pjesë e stafit do të jetë edhe Vidal Paloma, i cili ka punuar më herët me Márquez te Barcelona B.
Ky projekt shihet si një strategji e qartë për stabilitet dhe identitet të ri të futbollit meksikan. Márquez, një figurë ikonike e Barcelonës gjatë karrierës së tij si lojtar, konsiderohet si njeriu ideal për të modernizuar Kombëtaren dhe për ta udhëhequr në një cikël të ri zhvillimi.
Federata meksikane synon të shmangë paqëndrueshmërinë e viteve të fundit në stolin e trajnerit dhe t’i japë Márquezit kohën e nevojshme për të ndërtuar një skuadër konkurruese deri në Botërorin 2030.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: