Nis Europiani i peshëngritjes në Batumi, Enkileda Carja ‘Ylli në Rritje i Europës për vitin 2025’

Nis Europiani i peshëngritjes në Batumi, Enkileda Carja ‘Ylli në Rritje i Europës për vitin 2025’

09:50, 21/04/2026

Në Batumi të Gjeorgjisë ka nisur zyrtarisht Kampionati Europian i Peshëngritjes për të rritur, një nga eventet më të rëndësishme të këtij sporti në kontinent.

Shqipëria merr pjesë me një delegacion prej 8 sportistësh, 1 femër dhe 7 meshkuj, me shpresën për të luftuar për medalje në disa kategori. Federata Shqiptare e Peshëngritjes synon rezultate të larta, duke u mbështetur te forma e mirë e disa prej shtangistëve kryesorë.

Në ditën e parë të kampionatit u zhvillua edhe ceremonia hapëse, ku Federata Europiane vlerësoi shtangisten e re shqiptare Enkileda Carja me çmimin “Ylli në Rritje i Europës për vitin 2025”. Ky vlerësim vjen si konfirmim i talentit të saj dhe paraqitjeve të shkëlqyera në garat ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një nga premtimet më të mëdha të peshëngritjes europiane.

Carja, e cila garon për klubin Flamurtari, ka spikatur vazhdimisht me rezultate të qëndrueshme dhe progres të dukshëm, duke fituar vëmendjen e organizatorëve dhe ekspertëve të sportit.

Sa u përket garave, sportistët shqiptarë do të nisin konkurrimin nga data 22 prill. Në pedanë do të paraqiten Samoel Rrasa (65 kg), Erkand Qerimaj dhe Briken Calja (79 kg), Kristi Ramadani (88 kg), Ertjan Kofsha (94 kg), Rilind Hysa (110 kg) dhe Franko Ferra (+110 kg).

Shqipëria shkon në këtë Europian me pritshmëri të larta, duke shpresuar që përvoja dhe talenti i sportistëve të saj të sjellin medalje dhe rezultate historike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco