Ndeshja mes Real Madridit dhe Getafes më 2 mars vazhdon të shkaktojë polemika për një incident të rëndë në fushë, ku protagonistë ishin Antonio Rüdiger dhe Diego Rico.
Gjatë një aksioni, mbrojtësi i Realit përfundoi mbi lojtarin e Getafes, duke e goditur me gju në fytyrë në një moment kur ky i fundit ndodhej në tokë. Pavarësisht ashpërsisë së kontaktit, arbitri e konsideroi rastin si aksidental dhe nuk e ndëshkoi Rüdigerin me karton.
Në një intervistë për “La Otra Grada Podcast”, Diego Rico u shfaq shumë kritik dhe i revoltuar për atë që ndodhi: “A duhet ende t’i kërkoj falje që më la gjallë? Rüdiger është një lojtar shumë agresiv, por në atë moment e kaloi kufirin. Nuk mund ta fal”.
Nga ana tjetër, Rüdiger reagoi disa ditë më vonë, duke mbrojtur veten: “Pamjet në ngadalësim duken të frikshme. Nuk dua të debatoj me të, por nuk e vrava. Nuk duhet ekzagjeruar kontakti, sepse nëse do të kisha qëllim, do ta kisha dëmtuar. Nuk ishte kurrë synimi im t’i bëja keq, por më pëlqen të jem i fortë në lojë”.
Rico kishte reaguar menjëherë edhe pas ndeshjes, duke paralajmëruar rrezikun e goditjes: “Nëse më kapte keq, mund të më linte aty në fushë. Do të ma shpërthente fytyrën”. Edhe sot, mbrojtësi i Getafes mbetet i irrituar për atë incident, që vazhdon të diskutohet si një nga momentet më të debatueshme të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: