Paris Saint-Germain ka pësuar një humbje 2-1 në shtëpi ndaj Olympique Lyonnais, në një ndeshje ku trajneri Luis Enrique ka bërë shumë rotacione në formacion dhe ka vendosur të aktivizojë disa lojtarë jo titullarë.
Pas ndeshjes, tekniku spanjoll doli në konferencë për shtyp, ku mbrojti vendimet e tij dhe u përfshi në një debat të fortë me gazetarët, sidomos për çështjen e gjashtë ndryshimeve në formacionin titullar.
“Ju pëlqen një kampionat më i luftuar? Ja ku e keni. Kështu është futbolli”, u shpreh me ironi Luis Enrique, duke theksuar se skuadra e tij krijoi shumë raste, por nuk arriti të konkretizonte.
PSG goditi 23 herë drejt portës, por arriti të shënojë vetëm një gol, ndërsa humbi edhe një penallti. Lyon, sipas trajnerit, ishte shumë efikas në kundërsulme, duke shënuar dy gola nga vetëm pak tentativa.
Luis Enrique vlerësoi kundërshtarin, por theksoi se futbolli është i tillë dhe se skuadra duhet të përgatitet për një kalendar shumë të ngjeshur. Ai kujtoi se PSG do të luajë çdo tri ditë dhe se rotacioni i skuadrës është i domosdoshëm.
Megjithatë, tensioni u rrit kur gazetarët këmbëngulën për arsyet e ndryshimeve në formacion. Trajneri reagoi ashpër: “Nëse nuk e kuptoni këtë, nuk kuptoni asgjë. Duhet të luajmë nëntë ndeshje në 27 ditë. Çfarë prisni të bëjmë?”
Ai shtoi se të gjithë lojtarët e skuadrës duhet të marrin minuta dhe se kjo është mënyra e vetme për të menaxhuar sezonin e ngarkuar.
Pavarësisht humbjes, Luis Enrique theksoi se objektivi i PSG-së mbetet i dyfishtë: si në Ligue 1, ashtu edhe në UEFA Champions League, duke nënvizuar se prioriteti është të dy kompeticionet njësoj.
Në tabelë, RC Lens është afruar shumë, duke e bërë garën për titull edhe më të fortë, ndërsa deri në fund të sezonit pritet një betejë e ashpër mes skuadrave kryesore në Francë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: