Një episod i rëndë ka ndodhur pas ndeshjes mes Veronës dhe Milanit, duke tronditur ambientin sportiv në Itali. Protagonist i ngjarjes ka qenë sulmuesi Gift Orban, i cili u përfshi në një përplasje fizike me një tifoz jashtë stadiumit “Bentegodi”.
Sipas raportimeve dhe pamjeve të publikuara nga mediat lokale, incidenti ndodhi menjëherë pas përfundimit të takimit. Orban, i nervozuar pas humbjes së skuadrës së tij, kishte refuzuar të ndalonte për të bërë fotografi me tifozët. Situata u tensionua edhe më shumë kur makina e tij u godit nga një tifoz. Në atë moment, sulmuesi ndaloi automjetin, zbriti dhe reagoi në mënyrë të ashpër, duke sulmuar fizikisht një tifoz dhe duke shkaktuar një sherr të vërtetë.
Ngjarja u përshkallëzua shpejt, ndërsa disa tifozë të tjerë ndërhynë për të qetësuar situatën. E gjithë skena u filmua nga celularët e të pranishmëve dhe më pas ndërhyri edhe policia italiane, e cila ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.
Klubi i Veronës reagoi menjëherë përmes një deklarate zyrtare, duke u distancuar nga sjellja e lojtarit. Në reagimin e tyre, drejtuesit e klubit dënuan me forcë çdo formë dhune dhe theksuan se do të vlerësojnë me kujdes ngjarjen për të marrë masa të mëtejshme në lidhje me këtë rast.
Ky episod pritet të ketë pasoja serioze për Orbanin, si në aspektin disiplinor ashtu edhe në raportin e tij me klubin dhe tifozët.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: