Bayern Munich ka siguruar zyrtarisht titullin kampion në Bundesligë për herë të 35-të në histori, pas fitores 4-2 ndaj Stuttgart, duke e bërë të pakapshme diferencën katër javë para fundit të sezonit.
Ndeshja nisi me ritëm të barabartë, por ishin miqtë që surprizuan të parët me golin e Chris Führich, pas asistit të Bilal El Khannouss.
Megjithatë, reagimi i kampionëve ishte i menjëhershëm.
Në vetëm gjashtë minuta, Bayern përmbysi gjithçka me golat e Raphaël Guerreiro, Nicolas Jackson dhe Alphonso Davies, duke e kthyer rezultatin në 3-1 dhe duke “vulosur” praktikisht titullin që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, trajneri Vincent Kompany hodhi në fushë edhe Harry Kane, i cili nuk vonoi të lërë gjurmë.
Sulmuesi anglez realizoi golin e katërt vetëm shtatë minuta pas rifillimit, duke shënuar golin e tij të 32-të sezonal.
Stuttgarti arriti të ngushtojë rezultatin në fund me Chema Andrés, por pa ndikuar në fatin e ndeshjes apo të titullit.
Me këtë triumf, Bayern ngjitet në 79 pikë, duke lënë pas Borussia Dortmund me 64, ndërsa Stuttgarti mbetet në vendin e katërt me 56 pikë.Tashmë bavarezët mund të përqendrohen tek objektivat e tjerë në Champions League dhe në Kupën e Gjermanisë, me synimin për një sezon triplete.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: