Trajneri i Partizanit ka dalë në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Bylisit, ku ka folur për gjendjen e skuadrës, mungesat, formën e sulmuesve dhe objektivat e mbetura në kampionat. Ai ka theksuar se ekipi është i gatshëm për ndeshjen dhe se synimi i vetëm mbetet fitorja, ndërsa nuk ka munguar as një mesazh për tifozët pas rezultateve të fundit.
Gjendja e ekipit për sfidën ndaj Bylisit
‘Për nesër, pjesa më e madhe e grupit është e gatshme. Shpresoj të kemi në dispozicion edhe Fadairon. Mungesa e vetme është Skuka, i cili vijon të jetë i dëmtuar. Atanaskoski rikthehet pas skualifikimit, kështu që ekipi është i plotë për ndeshjen e nesërme.’
Gjendja psikologjike e ekipit pas rezultateve të fundit
‘Të them të drejtën, djemtë duken mirë. Stërvitja ka shkuar shumë mirë gjatë gjithë javës. Pavarësisht rezultateve, loja ka treguar që ne kemi qenë aty. Kemi prodhuar jashtëzakonisht shumë në dy ndeshjet e fundit, por ndoshta është një moment jo i mirë përpara portës. Mendoj se është një ngërç më shumë psikologjik në finalizim. Besoj që do të kalojë në këtë ndeshje.’
A është sfida me Bylisin momenti i kthesës?
‘Duhet ta fitojmë për objektivin që kemi, jo për kthesën, sepse ne aty jemi. Është momenti të fitojmë që të vazhdojmë objektivin tonë. Me shumë luftë dhe sakrificë e kemi arritur atë vend dhe duhet ta mbajmë.’
Vlerësimi për ekipin e Bylisit
‘Bylisi është një ekip shumë i fortë. Këtë e tregoi edhe një javë më parë ndaj Dinamo City-t, ku ka treguar se mund t’i hapë punë çdo ekipi. Është një situatë e ngjashme me sezonin e kaluar Partizani – Bylis, ku ndeshja përfundoi 2-3 për Bylis. Është një ndeshje e vështirë, ndaj duhet ta vlerësojmë maksimalisht sepse na duhen 3 pikët.
A kanë ndikuar gjykimet në garë?
‘Këtë do ta shohim në fund të sezonit, për të kuptuar nëse ka pasur apo jo deformim të garës. E dimë që ndeshja e Kupës ndaj Elbasanit ka ndikuar, pavarësisht se pjesën e gjykimeve ua lëmë të tjerëve. Ka ndikuar në kualifikim dhe do të flisnim ndryshe. Për pjesën tjetër nuk na takon ne të flasim, jemi këtu për ndeshjen me Bylisin.’
Sidibe dhe forma e tij
‘I ndodh çdo sulmuesi të ketë një ngërç. Edhe lojtarë të mëdhenj si Lautaro Martínez nuk kanë shënuar për muaj të tërë. Ne kemi pasur raste me Sidibe, përfshirë situata një kundër një me portierin. Do t’i vijmë në ndihmë që të rikthehet te goli, sepse me golat e tij dhe të gjithë lojtarëve duhet të dalim nga kjo situatë. Duhet grup i bashkuar.’
Kontreras dhe Toma në mungesë të Skukës
‘Janë profile të ndryshme dhe nuk mund të krahasohen me Skukën. Janë lojtarë të rinj, pa shumë eksperiencë, por kanë bërë mirë. Toma ka ardhur si zgjedhje e katërt në sulm, në momentin e fundit të merkatos, ndërsa Contreras ka ardhur nga Partizani B. Janë lojtarë për t’u afirmuar. Nuk mendoj se kanë bërë keq. Të dy kanë nga 6 gola, që nuk është pak për sezonin e parë në Superiore. Ngërç psikologjik nuk kanë vetëm ata, por edhe lojtarë të tjerë si Isgandarli, Sidibe, Human, Bytyçi dhe Sembene në situata standarde.’
Rikthimet në këtë fazë të sezonit
‘Janë shumë të rëndësishëm, sepse janë boshti i ekipit. Preka është kapiteni i ekipit bashkë me Skukën. Rikthimi i tij është i rëndësishëm edhe për harmoninë në dhomat e zhveshjes. Fadairo na jep mundësi për ndryshime në manovrën sulmuese. Ndërsa disa lojtarë si Marku, Çipi, Sula dhe Martínez e kanë humbur sezonin.’
Mesazhi për tifozët
‘Tifozëve u kërkojmë falje për rezultatet e fundit. Do të japim maksimumin, siç kemi bërë që ditën e parë. Do të derdhim djersë dhe do të luajmë vetëm për fitore, sepse futbolli luhet për tifozët dhe ne duhet t’i kënaqim ata.’
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: