Ish-‘ylli’ i Milani dhe i përfaqësueses së Japonisë, Keisuke Honda, ka vendosur të rikthehet sërish në futbollin aktiv në moshën 39-vjeçare. Mesfushori ofensiv ka firmosur me FC Jurong, skuadër që militon në kampionatin elitar të Singaporit.
Klubi aziatik konfirmoi afrimin e japonezit për sezonin e ardhshëm, duke shtuar eksperiencë dhe cilësi në organikë. Honda, i cili ka marrë pjesë dhe ka shënuar në tri Kupa Bote, vjen pas një eksperience të fundit me Paro FC, ku në sezonin 2024/25 luajti dy ndeshje dhe realizoi dy gola.
Karriera e tij është ndër më të pasurat për një futbollist japonez, pasi ka luajtur në shumë vende të botës, përfshirë Japoninë, Holandën, Rusinë, Italinë, Meksikën, Australinë, Brazilin dhe Azerbajxhanin. Më parë ai ka qenë pjesë edhe e FK Suduva në vitin 2021.
Në deklaratën e tij, Honda theksoi se synon të përballet me sfida të reja personale, përfshirë objektivin për të shënuar në sa më shumë kampionate të ndryshme në botë. “Qëllimi im kryesor me këtë klub është të fitojmë titullin. Ka rivalë të fortë, por jam i vendosur ta arrij këtë”, u shpreh ai.
Përveç karrierës si futbollist, Honda ka qenë aktiv edhe jashtë fushës, duke drejtuar një fond investimi dhe duke menaxhuar Kamboxhia-n si trajner nga viti 2018 deri në 2023. Ai u tërhoq nga kombëtarja japoneze pas 98 ndeshjesh dhe 38 golash, duke lënë gjurmë si një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e saj.
Drejtuesit e FC Jurong e konsiderojnë afrimin e tij si një hap strategjik: “Nuk është thjesht një transferim, por një gur themeli për të ndërtuar diçka të madhe”, deklaroi presidenti i klubit, Daisuke Korenaga.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: