Një tjetër skandal ka shpërthyer në Itali, këtë herë i lidhur me fatin e stadiumit legjendar ‘San Siro’. Procesi i shitjes së tij te Milani dhe Interi është vënë nën hetim, duke rrezikuar seriozisht një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në futbollin italian.
Pas më shumë se një dekade diskutimesh, projektesh të refuzuara dhe të rishikuara, dy klubet arritën më në fund një marrëveshje në nëntor 2025 për blerjen e zonës përreth stadiumit ‘Giuseppe Meazza’. Marrëveshja, me vlerë rreth 200 milionë euro, parashikonte ndërtimin e një impianti të ri modern në zonën aktuale të parkimit, ndërsa më pas do të vendosej për prishjen ose rikonstruksionin e stadiumit ekzistues.
Megjithatë, gjithçka është rikthyer në pikën zero pas ndërhyrjes së autoriteteve. Zyrat e bashkisë së Milanos janë kontrolluar nga policia financiare italiane, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi manipulim tenderash dhe bashkëpunim të paligjshëm.
Në këtë situatë ka reaguar edhe ‘Fratelli d’Italia’, partia e kryeministres Giorgia Meloni, e cila në nivel lokal ndodhet në opozitë. Kjo forcë politike ka paraqitur një propozim për anulimin e shitjes së “San Siros” dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Giuseppe Sala.
‘Fratelli d’Italia’ ka qenë gjithmonë kundër shitjes së stadiumit historik, duke mbështetur idenë e rikonstruksionit të tij. Megjithatë, një projekt i tillë mbetet shumë i vështirë për t’u realizuar, duke qenë se Milani dhe Interi luajnë rregullisht në këtë impiant.
Situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë, ndërsa e ardhmja e një prej stadiumeve më ikonike të futbollit europian është sërish në diskutim.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: