Futbollisti legjendar gjerman, Lothar Matthaus, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Real Madridit përpara çerekfinales së Champions League ndaj Bayern Munich.
Në programin “Sky 90”, Matthaus kritikoi yllin brazilian Vinicius Junior, duke thënë: “Vinicius është një lojtar i shkëlqyer, por provokon pafundësisht. Kur më në fund e rrëzon në fushë, ai thjesht ankohet dhe pastaj qan. Kjo është tipike për të”.
Gjermanit nuk i shpëtoi as vendimi i Realit për të bojkotuar ceremoninë e “Ballon D’Or 2024”.
“Rodri u shpall lojtari më i mirë në botë, dhe pastaj ata thanë: ‘Po, është e padrejtë, njëri prej nesh duhet të kishte fituar’. Kështu që ata bojkotuan. Nga respekti për kundërshtarët dhe lojtarët e tjerë, kjo thjesht nuk është e pranueshme. Të gjitha mediat e panë negativisht, dhe një klub me histori të shkëlqyer po humbet disi prestigjin e tij”, deklaroi Matthaus.
Ai gjithashtu vuri në dukje dobësitë e skuadrës spanjolle, duke e cilësuar këtë si një avantazh për Bayern Munich përpara ndeshjes së parë në “Santiago Bernabeu”.
“Shoh disa dobësi te Real Madridi, të cilat nuk i kam parë te Reali i madh i së kaluarës. Kjo mund të lidhet me ndryshimet e trajnerëve dhe lë gjurmë.
Mbappe është i lënduar për një kohë të gjatë, ka shumë diskutime për Vinicius dhe ka probleme të tjera te Reali që i shoh si një avantazh të madh për Bayernin”, tha ai.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: