Barazim pa shumë emocione në ndeshjen hapëse të së hënës së Pashkëve në Serie A, ku Udinese dhe Como u ndalën në një 0-0 në “Stadio Friuli”.
Pjesa e parë ishte e vakët, me pak raste konkrete. Tentativat e Atta, Nico Paz dhe Kamara nuk arritën të shqetësonin seriozisht portierët Butez dhe Okoye. Loja mbeti e bllokuar edhe në pjesën e dytë, ku mungoi qartësia në fazën sulmuese nga të dyja skuadrat.
Rasti më i mirë për Comon erdhi në fillim të fraksionit të dytë, por Okoye reagoi mirë ndaj goditjes së Douvikas. Në minutat e fundit, edhe Mërgim Vojvoda pati një mundësi të artë për të vendosur sfidën, por tentativa e tij me parabël nuk arriti të mposhtte portierin vendas.
Trajnerët Kosta Runjaic dhe Cesc Fàbregas provuan të ndryshonin rrjedhën e lojës me zëvendësime, por pa sukses. Në fund, rezultati 0-0 mbeti i pandryshuar, duke reflektuar vështirësitë e të dy ekipeve për të shfrytëzuar potencialin ofensiv.
Ky barazim e çon Comon në kuotën e 58 pikëve dhe i jep fund serisë prej pesë fitoresh radhazi në kampionat. Nga ana tjetër, Udinese ngjitet në 40 pikë. Ndërkohë, Juventus tani ka mundësinë të afrohet me vendin e katërt, duke përfituar nga ndalesa e Comos në këtë javë të rëndësishme të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: