Pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Botërorin 2026, Gennaro Gattuso ka dhënë versionin e tij për situatën, duke shprehur emocione të forta dhe pakënaqësi për mënyrën si u trajtua. Ai theksoi se ndihet krenar për atë që ndërtoi, edhe pse situata nuk ishte aspak e lehtë.
“Jam krenar për atë që ndërtuam, në një skuadër ku askush nuk donte të vinte me dëshirë,” – u shpreh ai, duke nënvizuar vështirësitë që hasën gjatë rrugëtimit.
Ish-trajneri nuk i kurseu kritikat për ata që, sipas tij, prisnin dështimin e tij për të përfituar: “Ka pasur ‘gjakpirës’ që prisnin të gëzonin mbi fatkeqësitë e mia,” – deklaroi Gattuso, duke i quajtur më tej edhe “hijena” ata që hodhën insinuata mbi situatën e tij.
Ai sqaroi edhe çështjen e dorëheqjes, duke mohuar çdo lidhje me përfitime financiare: “Kam hequr dorë nga shpërblimet deri më 20 korrik për të thjeshtuar gjithçka,” – tha ai, duke shtuar se “lojtarët nuk janë të lidhur me paratë,” dhe duke hedhur poshtë çdo pretendim për kushte apo kërkesa nga ana e tij.
Gattuso komentoi edhe ndeshjen vendimtare ndaj Bosnjës: “Mund të ishte 0-2 për ne,” – theksoi ai, duke shtuar se penalltitë e humbura dhe disa episode vendimtare ndikuan negativisht. Ai përmendi edhe ndërhyrjet e Gianluigi Donnarumma-s, duke i cilësuar si “mrekulli”, por që nuk mjaftuan për të shmangur eliminimin.
Në fund, ai vlerësoi atmosferën që kishte krijuar në ekip: “Krijuam një ambient të drejtë, ku edhe të dëmtuarit donin të ishin prezentë,” – përfundoi Gattuso, duke treguar se, pavarësisht zhgënjimit, largohet me ndërgjegje të pastër.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: