Marrëdhënia mes Giannis Antetokounmpos dhe Milwaukee Bucks duket se po kalon një moment delikat, ndoshta edhe vendimtar. ‘Ylli’ grek ka dalë hapur kundër drejtuesve të klubit, duke kritikuar mënyrën si është trajtuar situata e tij, si në aspektin fizik ashtu edhe për të ardhmen në skuadër.
Shkëndija e fundit erdhi pas deklaratave të bashkëpronarit Wes Edens, i cili në muajin mars la të kuptohej se Antetokounmpo mund të transferohej në verë nëse nuk firmoste rinovimin e kontratës. Reagimi i lojtarit ishte i fortë: “Për mua, kjo është si një shuplakë në fytyrë”, deklaroi ai, duke theksuar se nuk është e drejtë të mësojë për vendime të tilla përmes mediave.
“Unë nuk jam fëmijë, jam një burrë i rritur. Nëse kjo ishte situata, duhej të vinin të flisnin drejtpërdrejt me mua”, shtoi ai, duke vënë në dyshim nëse ekipe si Denver Nuggets apo Oklahoma City Thunder do të silleshin njësoj me ‘yjet’ e tyre si Nikola Jokić apo Shai Gilgeous-Alexander.
Pavarësisht tensioneve, Antetokounmpo konfirmoi besnikërinë ndaj qytetit të Milwaukee-t dhe tifozëve, duke theksuar se nuk do të kërkojë largimin. Megjithatë, zhvillimet e fundit e bëjnë gjithnjë e më të mundshme një ndarje në verë.
Situata komplikohet edhe më shumë nga mungesa e tij në dhjetë ndeshjet e fundit për shkak të një problemi në gjurin e majtë. Lojtari pretendon se është i gatshëm për të luajtur, ndërsa klubi mban një qëndrim tjetër, çka ka shtyrë NBA-në të hapë një hetim mbi menaxhimin e aktivizimit të tij.
Sipas gazetarit Shams Charania, ekzistojnë mospërputhje mes palëve, madje lojtari ka refuzuar të marrë pjesë në disa seanca stërvitore. Ndërkohë, ai u shpall sërish i padisponueshëm në përballjen e fundit ndaj Memphis Grizzlies.
Me mesatare prej 27.6 pikësh, 9.8 rebound dhe 5.4 asistesh këtë sezon, e ardhmja e Antetokounmpo mbetet një nga çështjet më të nxehta në NBA.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: