Trajneri i Inter, Cristian Chivu, u shfaq i kënaqur pas fitores spektakolare 5-2 ndaj Roma në “San Siro”, një reagim i fortë pas rezultateve jo bindëse në javët e fundit.
Pas humbjes në derbi ndaj Milani dhe barazimeve kundër Atalantës dhe Fiorentinës, zikaltrit u rikthyen fuqishëm menjëherë pas pushimit të kombëtareve. Sipas Chivu, çelësi i suksesit ishte reagimi në pjesën e dytë: “Hyrja jonë pas pushimit ishte shumë e mirë. Shënuam dy gola menjëherë dhe e mbyllëm praktikisht ndeshjen. Kjo skuadër po jep sinjale të qarta pjekurie”.
Tekniku rumun theksoi se ekipi kishte bërë disa gabime në ndeshjet e fundit, duke menaxhuar jo gjithmonë siç duhet situatat: “Ndoshta kemi spekuluar më shumë seç duhej në disa momente. Por këtë herë u paraqitëm me mentalitetin e duhur për të dominuar dhe për ta mbyllur ndeshjen pa diskutim”.
Duke folur për vështirësitë e sfidës, Chivu pranoi se nuk ishte e lehtë të përballesh me Romën: “Nuk është e thjeshtë ta sulmosh këtë skuadër. Kishim disa probleme në mesfushë, por më pas rritëm agresivitetin dhe ritmin e lojës, duke marrë kontrollin”.
Në fund, ai u ndal edhe te situata e futbollit italian, pas mungesës së tretë radhazi në Botëror të Italia: “Nuk ekziston një zgjidhje e menjëhershme. Është një problem ku kemi të gjithë pjesën tonë të përgjegjësisë trajnerë, lojtarë, tifozë, media dhe rrjetet sociale. Duhet reflektim i përbashkët për të ecur përpara”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: