Gjendja e Mircea Lucescut përkeqësohet, në koma farmakologjike pas infarktit

Gjendja e Mircea Lucescut përkeqësohet, në koma farmakologjike pas infarktit

08:33, 06/04/2026

Gjendja shëndetësore e legjendës së futbollit rumun, Mircea Lucescu, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë natës. Ish-trajneri i Rumanisë, 80 vjeç, ndodhet i shtruar në repartin e terapisë intensive në Spitalin Universitar të Bukuresht dhe është futur në koma farmakologjike nga mjekët.

Situata e tij u rëndua dy ditë më parë, kur u godit nga një infarkt, vetëm pak orë para se të dilte nga spitali, ku ishte shtruar pas një episodi të mëparshëm shëndetësor gjatë një mbledhjeje teknike para stërvitjes. Për t’i shpëtuar jetën, mjekët janë detyruar të kryejnë tri procedura reanimimi. Sipas raportimeve, Lucescu ka pësuar edhe një atak të dytë kardiak, por ka arritur të rikthehet në jetë. Gjatë natës ai ka shfaqur aritmi të rënda, çka ka detyruar stafin mjekësor ta vendosë në gjendje kome të kontrolluar.

Lucescu, një emër i njohur edhe në futbollin italian ku ka drejtuar klube si Inter dhe Brescia në vitet ’90, kishte këmbëngulur të ishte në stol në gjysmëfinalen e “play-off”-it të Botërorit, të humbur ndaj Turqisë. Dështimi për t’u kualifikuar në Kupën e Botës i kishte kushtuar edhe shkarkimin nga posti i trajnerit.

Ndërkohë, Federata Rumune e Futbollit ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale: “Ka momente në futboll kur rezultati nuk ka më rëndësi dhe e vetmja fitore për të cilën luftojmë është jeta. Sot është një nga ato momente. Jemi një ekip, një zemër e vetme dhe ajo rreh për ty. Vazhdo të luftosh!”.

 

Orë të vështira po kalon edhe familja e tij. Djali i tij, Răzvan Lucescu, drejtoi skuadrën e PAOK-ut në derbin ndaj Panathinaikosit (0-0), përpara se të nisej drejt Rumanisë për të qëndruar pranë të atit, së bashku me familjen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco