Një përballje spektakolare dhe plot kthesa ka dhuruar java e 29-të e Kategorisë së Parë, ku Besa arriti një fitore të çmuar 2-3 në transfertë ndaj Luftëtarit në Gjirokastër.
Skuadra kavajase e nisi më mirë sfidën, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi falë golave të Chinedu në minutën e 24-t dhe Kapo në të 40-ën. Verdhezinjtë dukeshin në kontroll, por reagimi i vendasve nuk vonoi.
Në pjesën e dytë, Luftëtari riktheu baraspeshën me golat e Nyanguila dhe Cerenit, duke ndezur shpresat për përmbysje dhe duke rritur tensionin në fushë.
Situata u komplikua për Besën në minutën e 84-t, kur Spahiu u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë miqtë me një lojtar më pak. Megjithatë, edhe në inferioritet numerik, kavajasit nuk u dorëzuan.
Heroi i sfidës u bë sërish Chinedu, i cili në minutën e 90-të realizoi golin vendimtar, duke i dhënë fitoren ekipit të tij. Dramatika vazhdoi, pasi vetëm pak minuta më vonë, edhe vetë sulmuesi u ndëshkua me karton të kuq, duke e mbyllur ndeshjen me 9 lojtarë për Besën.
Falë këtij suksesi, Besa ngjitet në vendin e gjashtë me 34 pikë, ndërsa Luftëtari mbetet në fund të renditjes me 22 pikë, gjithnjë e më pranë rënies nga kategoria.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: