Humbja e rëndë e Liverpoolit (0-4) ndaj Manchester City-t në FA Cup, që u shoqërua edhe me eliminimin nga kompeticioni, ishte një goditje e madhe për të kuqtë. Edhe për trajnerin Arne Slot, që në këtë sezon nuk ka arritur kurrë ta mposhtë skuadrën e Guardiolës.
Kjo ishte gjithashtu humbja e 15-të e Liverpoolit këtë sezon, numri më i lartë i regjistruar në një vit të vetëm që nga sezoni 2014/2015. Atëherë, nën drejtimin e Brendan Rodgers, humbën 18 ndeshje, duke përfunduar sezonin në vendin e gjashtë në Premier League, duke dalë nga grupet e Champions League dhe u eliminuan në gjysmëfinalet e dy kupave kombëtare (FA Cup dhe Carabao Cup).
“Mendoj se gjatë gjithë sezonit, nuk ka rëndësi nëse fiton apo humb, por duhet të përshtatesh vazhdimisht me atë që është e nevojshme për të fituar ndeshjen e radhës,” deklaroi trajneri Slot në konferencën pas ndeshjes.
“Edhe nëse fiton tri ndeshje radhazi, gjithmonë pyet veten: çfarë duhet të bëj tani për t’u siguruar që jemi gati për ndeshjen e ardhshme? Kjo është pikërisht situata aktuale.”
Ai shtoi:
“Reagimi nuk është gjithmonë i njëjtë pas 15 humbjeve që kemi pësuar. Përpiqesh të reagosh ose të bësh gjërat që unë dhe stafi mendojmë se janë të nevojshme, për të nxitur lojtarët dhe për t’i rikthyer në rrugën e duhur për ndeshjen e së mërkurës.”
Liverpooli do të përballet sërish me PSG-në në raundin e parë të çerekfinaleve të Champions League në ‘Parc des Princes’, me moral të dëmtuar pas kësaj serie humbjesh.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: