Situata e vështirë e Italia pas dështimit në Bosnjë ka shkaktuar një “tërmet” që tashmë ka prekur edhe skenën politike në vend. Sipas raportimeve nga ‘La Stampa’-s, qeveria e drejtuar nga Giorgia Meloni po tregohet e kujdesshme për zgjedhjen e drejtuesit të ri të FIGC, duke synuar një figurë të fortë dhe të pavarur nga ndikimet aktuale.
Nga Palazzo Chigi ka rezerva për mundësinë që drejtimi i futbollit italian t’i besohet Giovanni Malagò, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me qeverinë. Për këtë arsye, ministri Andrea Abodi është vënë në kërkim të alternativave të tjera.
Një nga emrat që është kontaktuar është legjenda Paolo Maldini, por tentativa nuk ka dhënë rezultat. Ish-mbrojtësi duket hezitues, pasi nuk është i bindur se mund të ketë ndikimin e duhur në një ambient të tillë dhe mungesa e një mbështetjeje të qartë politike e ka bërë edhe më të rezervuar.
Ndërkohë, në prapaskenë vijojnë lëvizjet. Claudio Lotito po punon për të shtyrë alternativa të tjera, mes tyre rikthehet si ide edhe emri i Alessandro Del Pieros, i propozuar më herët nga rrethe pranë Lazios. Një tjetër kandidat i fortë mbetet Giuseppe Marotta, por aktualisht ai nuk ka ndërmend të largohet nga posti drejtues tek Interi.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në javët në vijim, ndërsa futbolli italian vazhdon të kërkojë stabilitet pas një periudhe të trazuar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: