Juventusi ëndërron Lewandowski-n, transferimi i mundshëm me një kusht

Juventusi ëndërron Lewandowski-n, transferimi i mundshëm me një kusht

22:07, 03/04/2026

Juventusi po mendon për një goditje të madhe në merkato, duke vendosur në objektiv sulmuesin polak Robert Lewandowski-n. Ideja për ta sjellë një ‘bomber’ të këtij niveli në Serie A ka ndezur entuziazmin e tifozëve bardhezinj, edhe pse operacioni mbetet shumë i komplikuar.

Drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim të qartë: në verë do të afrohet një sulmues i madh për t’i dhënë më shumë forcë repartit ofensiv të trajnerit Luciano Spalletti. Kërkesa për një “numër 9” të mirëfilltë ka qenë e dukshme që në merkaton e janarit, pasi afrimet e mëparshme si Loïs Openda dhe Jonathan David nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Ndërkohë, ardhja e Jeremie Boga nuk e ka zgjidhur problemin e një sulmuesi klasik.

Në këtë kontekst, emri i Lewandowski-t është ai që tërheq më shumë vëmendje. Një element që mban gjallë shpresat e Juventusit është fakti se sulmuesi mund të lirohet me parametër zero në fund të sezonit, çka do ta bënte transferimin më të përballueshëm ekonomikisht.

Megjithatë, gjithçka mbetet e lidhur me këtë kusht kyç: vetëm nëse Lewandowski largohet pa kosto nga klubi aktual, Juventusi mund të tentojë konkretisht afrimin e tij. Në të kundërt, operacioni do të ishte thuajse i pamundur për t’u realizuar.

Për momentin, bëhet fjalë për një ëndërr merkatoje, por në Torino kanë vendosur të provojnë gjithçka për t’i dhuruar Spalletti-t një sulmues të madh për sezonin e ardhshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco