Chelsea ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje mesfushorin Enzo Fernández, pas deklaratave të tij që u interpretuan si një “hapje” ndaj Real Madridit. Trajneri Liam Rosenior theksoi se “është kaluar një vijë”, duke shprehur zhgënjimin për komentet e lojtarit.
Në mbrojtje të Enzos ka dalë agjenti i tij, Javier Pastore, i cili ka sqaruar se deklaratat janë keqinterpretuar. Sipas tij, lojtari nuk ka përmendur asnjë klub dhe nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar nga Chelsea. “Ai thjesht përmendi Madridin si qytet ku do të donte të jetonte në të ardhmen, për shkak të gjuhës, kulturës dhe klimës, që i kujtojnë Buenos Aires-in ,” shpjegoi Pastore.
Agjenti theksoi gjithashtu se Enzo e ka pranuar vendimin e klubit me profesionalizëm, edhe pse nuk e kupton arsyen e dënimit. Ndërkohë, ai zbuloi se kanë pasur bisedime për rinovimin e kontratës, por nuk është arritur një marrëveshje, pasi kushtet nuk janë konsideruar të përshtatshme për lojtarin.
Kontrata aktuale e mesfushorit ka ende gjashtë vite vlefshmëri, por situata mbetet e hapur. Sipas Pastores, pas përfundimit të Botërorit, palët do të ulen sërish në tryezë dhe, nëse nuk gjendet një zgjidhje, do të shqyrtohen edhe alternativa të tjera për të ardhmen e lojtarit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: