Federata Franceze e Futbollit ka zyrtarizuar një marrëveshje afatgjatë me kompaninë ‘GL Events’, që garanton se Franca do të vazhdojë të luajë në ‘Stade de France’ për 30 vitet e ardhshme.
Marrëveshja do të zbatohet në dy faza të ndryshme. Faza e parë do të zgjasë deri në vitin 2030, periudhë gjatë së cilës stadiumi do t’i nënshtrohet punimeve të rëndësishme rikonstruksioni. Gjatë kësaj kohe, Federata do të organizojë ndeshje në varësi të disponueshmërisë së stadiumit dhe ecurisë së punimeve.
Nga viti 2030 deri në përfundimin e koncesionit në vitin 2055, marrëveshja bëhet edhe më konkrete: Federata angazhohet që të zhvillojë në “Stade de France” gjashtë ndeshjet më të rëndësishme të kombëtares për çdo dy sezone sportive, si dhe finalen e Kupës së Francës çdo vit.
Ndërkohë, është konfirmuar se “Les Bleus” do të rikthehen në këtë impiant më 2 tetor, kur do të përballen me Italinë në kuadër të UEFA Nations League. Në muajt e fundit, Franca kishte zhvilluar ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026 në ‘Parc des Princes’.
Që nga inaugurimi në janar të vitit 1998, “Stade de France” ka pritur plot 116 ndeshje të kombëtares franceze, duke mbetur një simbol i rëndësishëm i futbollit në vend. Kujtojmë se më herët, ‘GL Events’ kishte arritur gjithashtu një marrëveshje me Federatën Franceze të Rugbisë për organizimin e pesë ndeshjeve në vit në këtë stadium.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: