Partizani vjen në një moment delikat të sezonit, ndërsa përballet me Vllazninë në një sfidë që mund të peshojë shumë në renditje. Të kuqtë kërkojnë të thyejnë një seri negative ndaj shkodranëve, ndërsa trajneri Oltijon Kërnaja shfaqet i bindur se skuadra e tij është gati për të reaguar në momentin vendimtar të kampionatit.
Në konferencën për shtypin para ndeshjes së javës së 30-të në Abissnet Superiores, që do të luhet të shtunën, në orën 17:00, në stadiumin “Arena e Demave”, Kërnaja u ndal te forma e ekipit dhe objektivat.
A është gati Partizani?
“Besoj se po. Kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje, edhe falë pauzës së kombëtareve. Dihet rëndësia e kësaj faze, kemi edhe shtatë ‘finale’ për të luajtur. Djemtë janë gati dhe do të japin maksimumin.”
Partizani nuk fiton ndaj Vllaznisë prej dhjetorit 2024, sa ndikon kjo?
“Nuk besoj se ndikon. Statistikat mbeten në letër, ndërsa ne duhet të japim maksimumin në fushë. Këtë sezon kemi luajtur tri ndeshje me Vllazninë, dy prej tyre nën drejtimin tim. Njëra prej tyre këtu është interpretuar shumë mirë nga djemtë, pavarësisht barazimit 1-1. Duke parë volumin e lojës dhe rastet e krijuara, të gjithë mendonin se duhej ta fitonim. Do të jetë një ndeshje e fortë, mes dy ekipeve me histori në futbollin shqiptar. Ne do të hyjmë në fushë vetëm për fitore.”
Mungesa e alternativave?
“Grupi është i plotë dhe gati për ndeshjen e radhës. Është e vërtetë që gjatë sezonit kemi pasur dëmtime të shumta dhe shpesh nuk kemi qenë të plotë, por forca e klubit është grupi. Ndoshta jemi ndër ekipet me më shumë lojtarë në dispozicion dhe mungesat nuk janë ndier shumë. Çdo lojtar që është aktivizuar ka dhënë maksimumin. Te ne pesha është e grupit, jo e individit. Individi bën diferencën, por forca kryesore mbetet grupi.”
A është më e vështirë të arrini apo ta mbani vendin e katërt?
“Nuk e shoh si presion, por si përgjegjësi ndaj fanellës dhe klubit. Partizani gjithmonë lufton për trofe dhe për t’u renditur sa më lart. Kur e kemi thënë këtë në fillim, askush nuk na besoi. Tani jemi ne që e kemi arritur dhe do të bëjmë maksimumin për ta mbajtur. Nuk është presion, por përgjegjësi, dhe djemtë po e përballojnë shumë mirë deri tani.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: