Lajm jo i mirë për Bayern Munich në prag të ndeshjes së radhës në Bundesligë.
Sulmuesi kryesor i skuadrës, Harry Kane, do të mungojë në përballjen e së shtunës ndaj Freiburg për shkak të problemeve në kyçin e këmbës.
Trajneri Vincent Kompany konfirmoi lajmin në konferencë për shtyp, duke shpjeguar se Kane e ndjeu shqetësimin gjatë grumbullimit me kombëtaren angleze.
Sulmuesi madje u detyrua të ndërpresë stërvitjen përpara miqësores ndaj Japonisë dhe nuk u stërvit normalisht me skuadrën bavareze gjatë javës.
“Harry nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme. Nuk është një situatë e mirë, por jam optimist për të martën”, u shpreh Kompany, duke lënë të hapur mundësinë e rikuperimit për sfidën e madhe në Champions.
Mungesa e Kane është një goditje e rëndë për Bayernin, pasi anglezi ka qenë protagonist absolut këtë sezon, me plot 48 gola në të gjitha kompeticionet.
Në Bundesligë, ai është në ndjekje të rekordit historik të Robert Lewandowskit, i cili realizoi 41 gola në sezonin 2020-2021.
Në horizont është edhe supersfida ndaj Real Madridit në çerekfinalet e Champions League, dhe rikuperimi i Kane mbetet prioritet për stafin teknik.
Ndërkohë, Kompany duhet të gjejë alternativa në sulm, me opsione si Serge Gnabry apo një skemë më fleksibël në repartin ofensiv.
Bayern vazhdon marshimin drejt titullit të 36-të kampion në Gjermani, por mungesa e liderit të sulmit mund të ndikojë në ritmin e skuadrës në këtë fazë vendimtare të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: