Policia e qarkut Martin në Florida ka publikuar videon e momentit të arrestimit të golfistit legjendar, Tiger Woods, pas aksidentit të ndodhur më 27 mars.
Pamjet, të regjistruara nga kamera trupore e një polici, tregojnë Woods duke dhënë versionin e tij të ngjarjes: “Pashë telefonin dhe papritur… bum!”, dëgjohet të thotë ai. Sipas raportit policor, automjeti i tij tip Land Rover tentoi të parakalonte në vijë të dyfishtë të vazhduar një mjet që tërhiqte një rimorkio, duke u përplasur me të dhe duke u përmbysur në anë.
Fatmirësisht, askush nuk mbeti i plagosur rëndë. Woods arriti të dilte nga automjeti nga dera e pasagjerit dhe para mbërritjes së policisë ishte parë duke folur në telefon. Megjithatë, raporti thekson se ai ishte i djersitur, me bebëza të zgjeruara dhe hasi vështirësi në teste. Në xhepin e tij u gjetën dy pilula hidrokodone, për të cilat ai deklaroi se ishin të përshkruara nga mjeku. Testi i alkoolit rezultoi negativ.
Golfisti u akuzua për drejtim mjeti nën ndikimin e substancave, dëmtim prone dhe refuzim për t’iu nënshtruar një testi ligjor (analizë urine). Ai është deklaruar i pafajshëm dhe ka kërkuar gjykim me juri.
Gjykatësi Darren Steele i ka dhënë leje Woods-it të udhëtojë jashtë vendit për trajtim, pasi, sipas avokatit të tij, kujdesi i nevojshëm nuk mund të ofrohet në mënyrë të sigurt në SHBA për shkak të mungesës së privatësisë. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për 5 maj, ndërsa sportisti pritet të tërhiqet përkohësisht për t’u fokusuar në shëndetin e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: