Ish-trajneri i njohur italian, Fabio Capello, ka reaguar me tone shumë të ashpra pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke e cilësuar këtë situatë si një nga momentet më të errëta në historinë e futbollit italian.
Në një intervistë për “Marca”, Capello nuk e fshehu zhgënjimin e tij të thellë: “Nuk munda të flija gjithë natën, ende nuk mund ta besoj atë që ndodhi. Po flasim për një ekip katër herë kampion bote, kjo është një tragjedi sportive, një turp. Është një nga gjërat më të këqija që i kanë ndodhur futbollit italian”.
Ai drejtoi kritika të forta edhe ndaj drejtuesve të federatës, duke përmendur drejtpërdrejt presidentin Gabriele Gravina.
“Askush këtu nuk po jep dorëheqjen dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Personi i parë që duhet të marrë përgjegjësinë është presidenti i federatës, së bashku me të gjithë menaxhmentin”, deklaroi Capello.
Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me rezultatet në fushë, por është shumë më i thellë: “Ne duhet të sjellim ekspertë në tryezë, të analizojmë se çfarë po ndodh dhe të fillojmë një rindërtim nga baza. Problemi është strukturor”.
Në fund, Capello paralajmëroi se rikuperimi do të jetë i vështirë, por jo i pamundur: “Italia duhet të rishpikë veten. Ky është një moment zie për futbollin italian. Për një komb si ky, mungesa për herë të tretë në Kupën e Botës është shumë e vështirë për t’u pranuar”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: