Kombëtarja e Shqipërisë mund të përballet me ndryshime të mëdha gjatë verës, ndërsa e ardhmja e trajnerit Silvinjo mbetet e paqartë. Kontrata e brazilianit skadon në korrik dhe ende nuk ka vendim për rinovimin e tij apo emërimin e një zëvendësuesi.
Sot, një hap i rëndësishëm erdhi nga Klodian Duro, ikonë e kuqezinjve në fillimin e viteve 2000, i cili ka bërë publike kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e kombëtares. Aktualisht pa një ekip, Duro për herë të fundit ka drejtuar Lirinë e Prizrenit në Ligën e Parë të Kosovës.
Gjatë karrierës së tij si trajner, 48-vjeçari ka pasur eksperiencë edhe me Kukësin, Kamzën, Luftëtarin, Feronikelin, Lushnjën dhe Gjilanin. Trofeu i vetëm në karrierën e tij si trajner është Kupa e Shqipërisë me Kukësin në vitin 2016.
Si lojtar, Duro ka lënë gjurmë të mëdha te Kombëtarja, me 77 paraqitje dhe renditet i pesti për nga numri i ndeshjeve të luajtura, pas Elseid Hysajt, Lorik Canës, Etrit Berishës dhe Altin Lalës.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: