Bayern Munich po përballet me shqetësime përpara ndeshjes së Champions League kundër Real Madridit, pasi sulmuesi kryesor, Harry Kane, nuk luajti asnjë minutë me përfaqësuesen e Anglisë për shkak të një goditjeje në këmbë. Sulmuesi anglez do të ekzamohet nga mjekët e klubit bavarez këtë të mërkurë pasdite.
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, shpjegoi se mungesa e Kane-it shkaktohet nga një “problem i vogël” që ai pësoi gjatë një seance stërvitore një ditë para ndeshjes, duke mos dhënë shumë detaje për gjendjen e lojtarit. Sipas medieve britanike, bëhet fjalë për një goditje të thjeshtë në këmbë, por situata mbetet shqetësuese për Bayernin.
Kane nuk ka marrë pjesë në asnjë nga dy miqësoret e fundit të Anglisë gjatë pushimit ndërkombëtar, ku Anglia u ndal në barazim 1-1 ndaj Uruguait dhe u mposht nga Japonia, një fitore historike për kombëtaren aziatike në Wembley. Mungesa e sulmuesit u ndje dukshëm nga Anglia dhe ka nxitur debate të gjera në Ishull.
Edhe pse Bayerni nuk mund të konsiderohet plotësisht i varur nga Kane, statistikat tregojnë ndikimin e tij: dy humbjet e vetme të klubit këtë vit kanë ndodhur në ndeshje ku Kane nuk shënoi. Këtë sezon ai ka shënuar 48 gola në 40 ndeshje me Bayernin, një rekord personal për një sezon, dhe në Ligën e Kampionëve, vetëm Kylian Mbappé ka më shumë se 10 golat e tij.
Situata e Kane-it mbetet një shqetësim afatshkurtër për Bayernin dhe një alarm për Anglinë, teksa afrojnë ndeshjet vendimtare në Champions League. Mjekët e klubit do të përcaktojnë gjatë ditës nëse goditja është e lehtë, ose nëse do të ndikojë në paraqitjet e tij të ardhshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: