Vetëm një ditë pas zhgënjimit të madh me eliminimin e tretë radhazi nga Kupa e Botës, pas humbjes me penallti ndaj Bosnjë Hercegovinës në finalen e “playoff”-it, kritikat ndaj Italisë nuk kanë munguar. Njëri nga zërat më të fortë ka qenë ai i Paul Scholes, i cili ka bërë një analizë tepër të ashpër për gjendjen aktuale të “azzurrëve”.
Ish-mesfushori i Manchester United dhe përfaqësueses angleze nuk ka kursyer aspak fjalët, duke e krahasuar Italinë me Arsenalin: një skuadër që, sipas tij, vazhdon të jetojë më shumë me historinë sesa me realitetin. “Italia është Arsenali i kombëtareve”, u shpreh Scholes, duke nënvizuar se shpresat e saj mbeten të lidhura me sukseset e dikurshme.
Ky krahasim vjen si një goditje e fortë për një kombëtare me histori të lavdishme, që dikur dominonte skenën ndërkombëtare. Por sipas Scholes, problemi kryesor qëndron më thellë. Ai theksoi mungesën e një identiteti të qartë loje dhe të një vizioni afatgjatë, duke shtuar se skuadra nuk funksionon si një e tërë.
“Kjo Itali nuk luan si ekip. Varet nga veprimet individuale dhe shpesh paraqitet shumë dobët”, vijoi ai, duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me brezat e artë të së kaluarës.
Në fund, Scholes rikujtoi emra legjendarë si Paolo Maldini, Fabio Cannavaro, Andrea Pirlo, Francesco Totti dhe Gianluigi Buffon, duke theksuar se mungesa e shpirtit dhe karakterit të tyre është një nga arsyet kryesore të rënies së Italisë në vitet e fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: