‘Humbja që paralajmëron fitore të mëdha’, Mateo Mezini: Kosova doli kokëlart nga fusha

11:49, 01/04/2026

Mbrëmjen e së martës, zemrat e një kombi të tërë rrihnin në stadiumin “Fadil Vokrri”, por rezultati final nuk ishte ai i shpresuari.

Kosova u eliminua pas një beteje të fortë me Turqinë, duke lënë pas një ndjenjë zhgënjimi për rezultatin, por një krenari të jashtëzakonshme për paraqitjen.

Ndonëse ëndrra për kualifikim u ndërpre, skuadra dardane tregoi se ka hedhur hapa gjigantë përpara, duke dhënë një sinjal të qartë për të ardhmen.

Përballë një kundërshtari me traditë dhe me yje si Arda Güler e Hakan Çalhanoğlu, Kosova nuk u shfaq asnjëherë inferiore. Lojtarët dhanë zemrën në fushë, duke luftuar për çdo top dhe duke krijuar raste të shumta pa u dorëzuar.

Paraqitja u cilësua si dinjitoze dhe surprizuese, ku skuadra kosovare nuk u tërhoq asnjëherë, madje edhe pas pësimit të golit, duke mos rënë në pesimizëm.

Sidoqoftë, përballë ishte një Turqi e etur për sukses, e cila kishte 24 vite pa u kualifikuar në një kompeticion të tillë.

Eksperienca, pesha e fanellës dhe ndoshta pak më shumë fat ishin në anën e miqve.

Analistët vlerësojnë se presioni psikologjik i të luajturit në shtëpi dhe mungesa e fatit në momentet kyçe mund të kenë ndikuar në rezultatin final.

Turqia shfrytëzoi përvojën e saj për të menaxhuar momentet delikate të lojës.

Kjo humbje nuk shihet si një fund, por si një hap i madh drejt fitoreve të sigurta në të ardhmen. Evolucioni i skuadrës është i pamohueshëm dhe kjo ndeshje shërben si dëshmia më e mirë se Kosova është gati të bëhet një ekip i frikshëm për kombëtaret evropiane.

Paraqitja kokëlartë ka lënë shijen e një fitoreje morale dhe ka ndezur shpresat se vitet në vijim do ta gjejnë Kosovën duke arritur objektivat e saj madhorë në arenën ndërkombëtare.

Futbollisi Mateo Mezini, i ftuar në "Edicioni i Paradites" në Syri TV me gazetaren Eneida Ndoci, dha mendimin e tij për Kosovën duke u shprehur: “E përgjithshmja e asaj ndeshje ishte se pritshmëritë ishin shumë të larta, si nga ana e tifozerive dhe nga lojtarët. Ndoshta, le të themi që presioni ka qenë pak i lartë për vetë historinë e kombëtares së Kosovës, duke parë vitet e krijimit dhe revolucionet që ata kanë bërë.

Mund të themi që Kosova kishte mundësitë e veta për të fituar, kishte mundësitë e veta për të, për të bërë mirë dhe bëri mirë në, në disa raste, në disa aspekte. Por, le të mos harrojmë se kundra kujt po luante Kosova, kundra një ekipi me traditë në futboll, kundra një ekipi që, furnizon ekipet e Evropës me lojtarë më të mirë të vendit të tyre.

Por, di të them që Kosovës ndoshta i mungoi dhe fati, sepse e kërkuan vazhdimisht, dhanë zemrën në fushë. Ishin aty, në çdo moment, në çdo aksion. Përpiqeshin, u përpoqën shumë që ta kapërcenin situatën pas pësimit të golit, por, mendoj se ky rezultat mund të themi që mund të ishte më i drejtë.

Ka patur një paraqitje dinjitoze, ndoshta edhe surprizuese ndaj Turqisë në këtë rast, nga ana e Dardanëve. A mund të cilësohet si një zhgënjim ky eliminim i skuadrës kosovare?

Zhgënjim nuk mund të themi, sepse, e fola pak dhe më parë që duke parë revolucionin, duke parë ecurinë se si ekipi Dardan është ngritur dhe se si ka evoluar kaq shpejt me këta lojtarë, me këtë cilësi, ëh, duhet të themi që ky ishte një hap i madh drejt një fitoreje të sigurt në të ardhmen. Por, pse jo, do na pëlqente të gjithëve që Kosova të merrte atë rezultat që ne prisnim.

Fati, siç e thashë, ndoshta nuk ishte në krahun e tyre në atë moment që ata e kërkuan, ndoshta nuk ditën të shfrytëzojnë pak ato raste që ata kishin. Por, besoj se ky është një revolucion shumë i madh dhe është një hap përpara që Kosova në vitet në vijim të arrijë atë objektiv që ata kanë dhe të gjitha fitoret që ata duan të arrijnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco