VIDEO/ Pa ide dhe dëshirë, Shqipëria mposhtet nga Ukraina, mbyllet cikli me Sylvinho-n?

VIDEO/ Pa ide dhe dëshirë, Shqipëria mposhtet nga Ukraina, mbyllet cikli me Sylvinho-n?

21:44, 31/03/2026

Shqipëria mposhtet 1-0 nga Ukraina në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Valencia, duke ngritur shumë pikëpyetje për drejtimin e saj teknik. Edhe pse Sylvinho u detyrua të zbresë në fushë me mungesa të shumta, nga kuqezinjtë pritej më shumë në lojë dhe reagim. Në fakt, skuadra mund të konsiderohet edhe me fat që e mbylli sfidën me vetëm një gol të pësuar, duke parë dominimin dhe rastet e krijuara nga kundërshtari.

Kjo paraqitje e zbehtë shton dilemat për të ardhmen e pankinës shqiptare: a ishte kjo ndeshje fundi i epokës së Sylvinhos? Tani topi kalon në fushën e Armand Duka, i cili duhet të vendosë nëse do t’i rinovojë kontratën trajnerit brazilian apo do të nisë një projekt të ri me një drejtues tjetër në krye të Kombëtares.

Pjesa e parë e sfidës mes Ukraina dhe Shqipëria është mbyllur me rezultatin 0-0, në një 45-minutësh ku kundërshtarët e kuqezinjve krijuan më shumë raste, ndërsa kuqezinjtë u treguan të rrezikshëm në kundërsulm.

Rasti i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 4-t, kur Jaremçuk provoi nga distanca, por portieri Strakosha ishte në pozicion. Ukraina vijoi presionin dhe në minutën e 7-të Malinovski tentoi nga jashtë zone, me topin që devijohet në këndore.

Në minutën e 10-të, Hutsuliak u fut rrezikshëm në zonë, por goditja e tij u bllokua nga Mitaj. Shqipëria reagoi në minutën e 13-të me një top të gjatë për Uzunin, por portieri ukrainas ndërhyri në kohë.

Momenti më i diskutueshëm erdhi në minutën e 17-të, kur Jaremçuk dërgoi topin në rrjetë pas një harkimi, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Pak sekonda më vonë, ai tentoi sërish, por pa gjetur portën.

Në minutën e 24-t, Ukraina kishte shansin më të pastër, me Voloshin që u gjend i vetëm në zonë, por Strakosha bëri një pritje vendimtare. Një minutë më pas, Broja u kundërpërgjigj për Shqipërinë, duke depërtuar bukur nga e djathta, por nuk arriti të mposhtte portierin.

Vendasit vijuan të rrezikojnë me Malinovskin dhe Shaparenkon, por pa saktësi, ndërsa në minutën e 40-të Hutsuliak shpërdoroi një tjetër mundësi të mirë duke gjuajtur mbi traversë.

Në fund të pjesës së parë, rezultati mbetet i bardhë, me Shqipërinë që reziston dhe mbështetet te ndërhyrjet e sigurta të Strakoshës.

Shqipëria ndëshkohet sapo nis pjesën e dytë. Në përfundim të një aksioni të Ukrainës, Oleksiy Gutsulyak realizon me kokë, duke mposhtur më në fund Strakoshën, 1-0.

Ukrainë - Shqipëri 1-0

Zbritje e shpejtë e ukrainasve (70') me Shaparenkon i cili kalon me lehtësi Pllanën dhe gjuan, por gjen shtyllën që i mohon golin e dytë.

Nuk pati më ndryshim rezultati në minutat e mbetura, me kuqezinjtë që pësuan dy humbje radhazi brenda pak ditësh.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco