Tottenham Hotspur ka konfirmuar emërimin e Roberto De Zerbi si trajneri i ri i klubit, ndërsa ekipi lufton për të shmangur një rënie të papritur nga Premier League.
De Zerbi u bë i disponueshëm pas largimit nga Marseille në shkurt me marrëveshje të përbashkët dhe Tottenham veproi shpejt pas ndarjes me trajnerin e përkohshëm Igor Tudor, i cili qëndroi vetëm 44 ditë dhe shtatë ndeshje në stol.
Momentalisht, Spurs ndodhen vetëm një pikë mbi zonën e rënies, duke mos regjistruar asnjë fitore në kampionat për vitin 2026.
“Ishte një kënaqësi e madhe të bashkohem me këtë klub fantastik, një nga më të mëdhenjtë dhe prestigjiozët në botë,” tha De Zerbi.
“Gjatë diskutimeve me drejtuesit e klubit, qëllimi për të ardhmen ka qenë i qartë: të ndërtojmë një skuadër që mund të arrijë suksese të mëdha, duke luajtur një futboll që i frymëzon dhe i entuziazmon tifozët tanë. Jam këtu sepse besoj në këtë ambicie dhe kam nënshkruar një kontratë afatgjatë për t’i dhënë gjithçka për ta realizuar atë. Prioriteti ynë afatshkurtër është të ngjitemi në tabelën e Premier League dhe ky do të jetë fokus i plotë deri në fund të sezonit. Pres me padurim të nis stërvitjet dhe të punoj me këta lojtarë për ta arritur këtë.”
De Zerbi ka krijuar një reputacion të fortë në Angli gjatë dy viteve si trajner i Brighton & Hove Albion (2022–2024), duke e çuar skuadrën për herë të parë në historinë e saj në garat evropiane dhe deri në gjysmëfinale të FA Cup në 2023.
Pas një periudhe të shkurtër te Marseille, 46-vjeçari regjistroi një vend të dytë në Ligue 1 në sezonin e tij të plotë. Tani ai kthehet në Angli me një kontratë afatgjatë te Spurs.
Tottenham nuk ka përjetuar kurrë rënie nga elita e futbollit anglez që nga sezoni 1977–78. Pavarësisht stadiumit modern me kapacitet 63,000 shikues, qendrës stërvitore të avancuar dhe të ardhurave që e rendisin ndër 10 klubet më të pasura në botë, skuadra rrezikon seriozisht rënien në Championship.
Vetëm disa vite më parë, Spurs ishin rregullisht pjesëmarrës në Champions League nën drejtimin e Mauricio Pochettinos, duke arritur finalen në 2019. Ndërsa në sezonin e kaluar, nën trajnerin Ange Postecoglou, ata fituan Europa League.
Megjithatë, sinjalet e një beteje për mbijetesë ishin të qarta, pasi Postecoglou u shkarkua pavarësisht fitores ndaj Manchester United në finalen e Europa League-s, pas një përfundimi të dobët në Premier League (17-të). Pas tij, Thomas Frank mori drejtimin, por u largua në shkurt pas vetëm dy fitoreve në 17 ndeshje kampionati.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: